Hadergjonaj: LDK-ja ka nevojë për reflektim dhe unitet, jo për fajësime e përçarje
Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe deputeti i kësaj partie, Fadil Hadergjonaj, ka bërë thirrje për reflektim të thellë, unitet dhe përgjegjësi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës duke theksuar se partia nuk duhet të merret me përçarje të brendshme në një kohë kur vendi po përballet me sfida të shumta politike dhe institucionale.
Përmes një reagimi publik, Hadergjonaj vlerësoi se LDK-ja duhet të fokusohet në forcimin e rolit të saj politik dhe në ofrimin e zgjidhjeve për qytetarët, e jo në “beteja personale” dhe thellim të dallimeve brenda partisë.
“LDK-ja sot ka nevojë për reflektim të thellë, jo për fajësime; për unitet, jo për ndarje; për urtësi, maturi e mençuri, jo për përplasje të panevojshme”, ka shkruar ai.
Sipas Hadergjonajt, Kosova prej vitesh po përballet me krizë politike, polarizim shoqëror, stagnim institucional dhe mungesë të perspektivës së qartë zhvillimore, ndërsa kjo situatë kërkon që të gjitha energjitë të orientohen drejt forcimit të shtetit dhe institucioneve.
Ai ka theksuar se analiza e rezultateve dhe zhvillimeve politike duhet të jetë e ndershme, kolektive dhe e bazuar në përgjegjësi, me qëllim nxjerrjen e mësimeve dhe marrjen e vendimeve për të ardhmen.
“Ky nuk është moment për ego personale, por për vizion të përbashkët. Nuk është kohë për ndarje, por për bashkim rreth vlerave që e kanë bërë LDK-në shtyllë të shtetformimit dhe demokracisë në Kosovë”, është shprehur ai.
Hadergjonaj ka ritheksuar se LDK-ja do të vazhdojë të mbrojë vlerat e saj themelore dhe të mbetet, sipas tij, zëri i arsyes, dialogut, shtetit dhe interesit kombëtar.
Në fund të mesazhit, ai ka theksuar se uniteti brenda partisë është sot më shumë se një nevojë politike duke e cilësuar atë si përgjegjësi kombëtare për t’i rikthyer Kosovës shpresën, besimin dhe drejtimin që meriton. /Kosova.info/
