Kushtrim Sopa: Partinë e mbajnë aktivistët, jo ata që shfaqen pas rezultatit
Asambleisti i Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kushtrim Sopa, ka reaguar ndaj zhvillimeve dhe debateve të fundit brenda partisë pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, njofton Kosova.info.
Përmes një postimi me titullin “Eksperimentet në laboratorë”, Sopa vlerësoi kontributin e aktivistëve dhe strukturave të partisë, duke theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës mbahet në këmbë nga ata që punojnë në terren dhe sakrifikojnë për subjektin politik.
“Partinë nuk e mbajnë në këmbë ata që shfaqen pas rezultatit. Partinë e mbajnë ata që trokasin derë më derë, që sakrifikojnë familjen, kohën dhe mundin e tyre pa kërkuar asgjë në këmbim”, shkroi ai.
Sopa kritikoi zërat që kërkojnë ndryshime të vazhdueshme në krye të partisë, duke thënë se problemi nuk qëndron te kryetari, por te mentaliteti i atyre që, sipas tij, nuk ndërtojnë asnjëherë, por vetëm rrënojnë.
“Sot kërkojnë shkarkimin e një kryetari. Nesër do të kërkojnë shkarkimin e tjetrit. Sepse problemi nuk është kryetari. Problemi është mentaliteti i atyre që kurrë nuk ndërtojnë, por gjithmonë rrënojnë”, theksoi ai.
Në fund, asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se historia nuk i mban mend ata që kërkojnë karrige, por ata që kanë qëndruar pranë partisë në periudhat më të vështira.
“Historia nuk i mban mend ata që kërkojnë karrige. I mban mend ata që mbajtën partinë në këmbë, në ditët e vështira”, përfundoi Sopa.
