Amir Simnica: LDK-ja nuk ndalet, do t’ia dalë pavarësisht kritikëve të brendshëm
Asambleisti i Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Amir Simnica, ka reaguar lidhur me debatet e brendshme pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke kritikuar ata që, sipas tij, kanë kontribuar në rënien e partisë dhe tani po japin leksione për të ardhmen e saj, shkruan Kosova.info.
Përmes një postimi publik, Simnica tha se disa individë kanë zgjedhur sabotimin në secilin proces të LDK-së, duke i cilësuar si pjesëmarrës aktivë në rënien e partisë përmes mospunës dhe servilizmit.
“Të dëgjosh ligjërata nga ata që e kanë kthyer interesin personal në mënyrë jetese, është si të marrësh leksione noti nga dikush që s’guxon me hy në ujë”, shkroi ai.
Sipas Simnicës, ata që dikur nuk e kishin problem rënien e LDK-së, sot po kundërshtojnë ngritjen e saj, pasi planet e tyre kanë dështuar.
Ai theksoi se strukturat e LDK-së kanë zgjedhur rrugën e punës së sinqertë për bashkim dhe ringritje, duke refuzuar sulmet ndaj proceseve të reja brenda partisë.
“LDK nuk ndalet. Nuk është ndalë dje, e aq më pak sot. LDK ka me ia dalë. E dini të gjithë. Vazhdojmë”, përfundoi Simnica në reagimin e tij.
