Nënshkruhet dhënia fund luftës ShBA–Iran, Trump paralajmëron “bombardime të tmerrshme” mbi Teheranin nëse s’respektohet

SHBA dhe Irani kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi me 14 pika. 

Marrëveshja për t’i dhëmë fund luftës hyri në fuqi të mërkurën.

Presidenti Donald Trump e nënshkroi dokumentin gjatë darkës me presidentin francez Emmanuel Macron në Pallatin e Versajës. 

“Është nënshkruar. Nënshkruar në Versajë. Sapo e nënshkrova,” tha Trump para gazetarëve.

Marrëveshja parashikon pikësëpari rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. 

SHBA do të fillojë heqjen e bllokadës detare, e cila duhet të përfundojë plotësisht brenda 30 ditëve.

Irani, nga ana e tij, do të “bëjë të gjitha përpjekjet” për kalim të sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës për 60 ditë, pa tarifa.

Pas 60 ditëve, Irani do të vendosë tarifa për anijet që kalojnë Ngushticën. 

Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaro se “Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet në kushtet e para-luftës.”

Ai shtoi po ashtu se “Irani ka të drejtë sovraniteti mbi Ngushticën e Hormuzit dhe sigurisht do të marrim një tarifë për shërbimet.”

Irani ka rënë dakord të mos prodhojë e as të mos blejë armë bërthamore. 

SHBA, nga ana e saj, do të heqë të gjitha sanksionet ekonomike ndaj Iranit.

Marrëveshja parashikon edhe një fond prej 300 miliardë dollarësh për “rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik” të Iranit pa detyrim kontributi nga SHBA.

Dy vendet kanë 60 ditë, ndonëse me mundësi zgjatjeje, për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Por mosbesimi mbetet i thellë, raporton BBC-ja. 

Ghalibaf, negociatori kryesor iranian, i tha televizionit shtetëror Fars se “gishti ynë është mbi këmbëzën.” 

Trump, nga ana e tij, paralajmëroi se SHBA do ta “bombardojë tmerrshëm” Iranin nëse nuk i respekton kushtet.

Go to TOP