I nxehti sfidon punëtorët e ndërtimit, kërkohen masa për mbrojtjen e tyre
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse masa të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve të ndërtimtarisë gjatë valës aktuale të të nxehtit. BSPK ka paralajmëruar se temperaturat e larta po rrisin ndjeshëm rrezikun e aksidenteve dhe vdekjeve në vendet e punës.
Ka mbi një dekadë që Haki Pecani punon në ndërtimtari. Ditën e nis në mëngjes, por në pikun e të nxehtit ai nuk e ndal punën, por i shmanget diellit.
“Ne e nisim punën nga ora 08:00 deri në 16:00. Pastaj e kemi pauzën e drekës dhe disa pauza gjatë ditës që t’i ikim të nxehtit”, tha Haki Pecani, punëtor ndërtimi.
Kurse punëdhënësit flasin për masat që kanë ndërmarrë gjatë sezonit të verës.
“Ne mundohemi që punët t’i kryejmë gjatë mëngjesit dhe në orët e pasdites. Po ashtu, gjatë këtij sezoni përpiqemi që punët t’i realizojmë, ato çfarë kërkohen, brenda objektit. Pastaj kemi edhe pushimet verore”, tha Jahir Morina, ndërtues.
Nga Shoqata e Ndërtimtarisë në Kosovë bëjnë thirrje që gjatë këtyre muajve të verës ndërtuesit të kenë parasysh shëndetin dhe sigurinë në punë.
“Ne do të dalim me disa kërkesa që kompanitë e ndërtimit të kenë prioritet shëndetin dhe sigurinë në punë, pasi temperaturat mund të shkaktojnë rreziqe në vendpunishte. Mirëpo, ne kemi praktika edhe më herët, ku mund të bëhet reduktimi i orarit”, tha Valon Vataj, kryetar i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë.
Nga Ministria e Punës patën deklaruar se do të angazhohen që të drejtat e punëtorëve të respektohen. Ndërkaq, Inspektorati i Punës ka deklaruar për RTK-në se aktualisht, në kuadër të Inspektoratit të Punës janë 52 inspektorë aktivë, numër i cili nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar në mënyrë efektive të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë që dalin nga mandati i institucionit. Megjithatë, sipas Inspektoratit, pritet shtim i tyre, pasi gjatë inspektimeve në terren janë hasur shkelje. Në rastet kur zyrtarët konstatojnë se nuk respektohen masat e sigurisë dhe shëndetit në punë, ndërmarrin të gjitha veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar masa të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve të ndërtimtarisë gjatë valës aktuale të të nxehtit, si dhe rritjen e numrit të inspektorëve në terren.
