Përparim Rama: Po ecim drejt autokracisë, po përgatit padi për shpifje ndaj Dejona Mihalit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali duke njoftuar se është duke përgatitur padi për shpifje ndaj saj.
Në një reagim publik, Rama ka përdorur tone të ashpra duke e akuzuar Mihalin për fyerje, përçarje dhe përdorim të profileve të rreme në rrjetet sociale për sulme ndaj kundërshtarëve politikë.
“Për gjuhën e saj që e shpërfaq nivelin e saj jam duke përgatitur padi. Padi për shpifje. Është mësu ajo me u fsheh pas brigadave të Facebook-ut dhe mijëra profileve false duke përçarë shqiptarët duke i ofendu nënat tona, gratë, fëmijët, luftën, kontributin, atdheun dhe gjithçka që është e shenjtë”, ka deklaruar Rama.
Ai shtoi se çështja do të përfundojë në organet e drejtësisë duke theksuar se, sipas tij, Prokuroria mbetet një prej institucioneve që ende nuk është nën ndikimin e pushtetit.
Në reagimin e tij, Rama ka shprehur shqetësime edhe për zhvillimet politike në vend duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për tendenca autokratike.
Sipas tij, Kosova po hyn në një fazë të rrezikshme të normalizimit të një mentaliteti totalitar, ku zërat kritikë synohet të heshtën dhe të diskreditohen.
“Po hyjmë në fazën më të rrezikshme si shoqëri: normalizimin e një mentaliteti totalitar, ku çdo zë kritik duhet të heshtet, të diskreditohet dhe, në fund, të burgoset”, ka thënë Rama.
Ai ka akuzuar pushtetin edhe për sulme ndaj mediave, gazetarëve dhe analistëve duke pretenduar se ekziston një përpjekje e organizuar për të kontrolluar institucionet e pavarura dhe për të imponuar një narrativë të vetme politike.
Rama ka përfunduar duke bërë thirrje që qytetarët të mos lejojnë, sipas tij, rrëshqitjen e vendit drejt autokracisë duke theksuar se mbrojtja e gjyqësorit të pavarur dhe e lirisë së mediave është thelbësore për demokracinë në Kosovë. /Kosova.info/
