Kur historia vidhet…
Shkruan: Ismet HAJRULLAHU
Sot po shohim se si politika dhe institucionet “vajtojnë” me lot krokodili për humbjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ky vajtim është i vonuar dhe hipokrit, sepse pikërisht ne vetë e kemi legalizuar këtë humbje. Vendime të pamenduara e kanë lënë Kosovën të duket si një vend pa trashëgimi të lashtë, duke ua dhënë fqinjëve mundësinë të interpretojnë historinë tonë sipas interesave të tyre. Në vend që trashëgimia të mbrohej si pasuri e përbashkët e popullit të Kosovës, ajo u kategorizua sipas logjikës së të tjerëve, duke e dobësuar identitetin tonë kombëtar. Kishat dhe manastiret ortodokse u legalizuan si serbe, duke harruar se Kosova ka qenë për shekuj me radhë një vend me traditë ortodokse, e cila nuk lidhet vetëm me serbët.
Ky veprim i dha Serbisë monopolin e përvetësimit kulturor mbi një pjesë të madhe dhe të rëndësishme të historisë sonë, duke e paraqitur trashëgiminë tonë arkitekturore si të huaj. Në të njëjtën kohë, xhamitë e periudhës osmane, të ndërtuara dhe të përdorura nga shqiptarët për pesë shekuj, sot trajtohen si trashëgimi turke. Ky kategorizim u mohon shqiptarëve pronësinë mbi një pjesë të madhe të trashëgimisë së tyre arkitekturore dhe ndërtimore, duke i lënë pa rrënjë të dukshme në historinë e vendit.
Nëse një popull nuk ka trashëgimi të pranuar, atëherë ai paraqitet lehtësisht si ardhacak, si dikush që nuk ka lidhje të thella me tokën ku jeton. Me këtë logjikë dhe kategorizim, ne paraqitemi si ardhacakë në trojet tona. Serbia dhe Turqia kanë përdorur taktika dhe manovra nga më të ndryshmet për të mohuar autoktoninë tonë, duke pretenduar se serbët dhe turqit kanë qenë këtu që kur ka lindur njerëzimi, ndërsa shqiptarët u shfaqën vetëm në fund të shekullit XX.
Organizata turke TIKA e trajton Kosovën si pjesë të trashëgimisë osmane dhe madje guxon të thotë se “shqiptarizimi” ndodhi vetëm pas viteve ’90 dhe, sidomos, pas luftës së UÇK-së. Kjo është një narrativë shumë e rrezikshme, sepse na paraqet si joautoktonë dhe të ardhur vonë në këto hapësira. Në fakt, dëshmitë historike dhe ato arkeologjike tregojnë qartë vazhdimësinë e popullsisë ilire dhe më pas shqiptare. Por, kur politika jonë nuk e mbron këtë trashëgimi, atëherë hapet rruga që të tjerët ta interpretojnë sipas interesave të tyre.
Klasa politike e djeshme dhe ajo e sotme mbajnë përgjegjësi morale dhe juridike për këtë gjendje.
Në vend që të mbrohej trashëgimia jonë e lashtë, ajo u la të kategorizohej sipas interesave të fqinjëve dhe fuqive të huaja. Kështu, Kosova u paraqit si një vend pa rrënjë të forta kulturore, duke e dobësuar identitetin e saj kombëtar. Trashëgimia e Kosovës nuk është as serbe e as turke; ajo është e Kosovës dhe i përket popullit të saj. Ajo përfshin shtresat ilire, bizantine, mesjetare, osmane dhe moderne. Vetëm duke e mbrojtur si të tillë, mund të kundërshtojmë narrativat që na paraqesin si ardhacakë dhe të forcojmë identitetin tonë kombëtar.
Ky është një detyrim moral dhe historik, sepse pa trashëgimi të mbrojtur, Kosova rrezikon të mbetet një vend i zhveshur nga historia dhe identiteti i vet. Nëse nuk e rimarrim në dorë narrativën tonë, të tjerët do ta shkruajnë atë për ne, dhe ajo nuk do të jetë kurrë në favorin tonë. Prandaj, mbrojtja e trashëgimisë nuk ka të bëjë vetëm me çështje të kulturës, por përbën në thelb një çështje ekzistenciale për identitetin tonë dhe për kombin tonë.
