Bojkoti i qytetarëve dhe vota e shqiptarëve për partitë serbe!
Shkruan: Florim ZEQA
Zgjedhjet e 7 qershorit e nxorën në pah një paradoks të madh! Ndodhi për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë që, në vendbanimet shqiptare pa asnjë serb, të votohen kandidatët e partive politike serbe!
Ndëshkimi me votë i mashtruesve ordinerë
Vërtet nuk ka paradoks më të madh sesa kur, në një vendbanim autokton shqiptar, votohen serbët, ndërsa në anën tjetër bojkotohen partitë politike shqiptare.
Pa dyshim se përgjegjëse për këtë situatë, në radhë të parë, janë partitë politike shqiptare dhe liderët e tyre partiakë, të cilët e kanë sjellë popullin deri në këtë derexhe sa t’i votojnë kandidatët e partive serbe dhe të mos i votojnë vëllezërit e tyre shqiptarë!
Përderisa bojkoti është produkt i zhgënjimit të qytetarëve ndaj partive politike shqiptare, vota për kandidatët e partive serbe është ndëshkim i partive shqiptare nga vetë shqiptarët!
Mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve dhe mashtrimet serike të politikanëve kanë ndikuar në rënien e interesimit të qytetarëve për dalje në zgjedhje!
Nga bojkoti qytetar duhet të nxjerrin mësim partitë politike, të cilat sa më parë duhet të gjejnë kompromisin e duhur në vend të bllokadës politike!
Ndryshe, nëse edhe kësaj radhe partitë politike nuk merren vesh mes tyre në Parlamentin e Kosovës për krijimin e institucioneve shtetërore, nga 36% do të bjerë nën 30% dalja e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme!
Rënia në 36 për qind e daljes së qytetarëve në zgjedhje është alarm i kuq për partitë aktuale politike!
Ngase janë 64 për qind e popullatës që nuk i beson më politikëbërjes kosovare!
Nëse edhe kësaj radhe partitë politike nuk gjejnë kompromis për bashkëqeverisje, ndëshkimi do të jetë akoma më i madh në zgjedhjet e radhës!
Andaj, nëse partitë e duan mbijetesën në skenën politike, duhet të mobilizohen skajshmërisht në angazhimet e përditshme drejt reformimit të thellë, ngase ngjizja e një alternative të re politike do t’i nxjerrë jashtë Parlamentit shumicën prej tyre!
