Demokraci Plus kërkon anulimin e tenderit 480 mijë euro të MMPH-së për 20 ekspertë
Organizata Demokraci Plus (D+) i ka bërë thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH) që të anulojë një procedurë prokurimi në vlerë prej 480 mijë eurosh, e cila parasheh angazhimin e 20 ekspertëve përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura edhe si “kontrata mbi vepër”.
Sipas D+, procedura e prokurimit me numër 210-26-4238-2-1-1 parasheh që ekspertët të ndahen në nëntë lote dhe të angazhohen për një periudhë deri në 24 muaj, me orar të plotë pune prej 40 orësh në javë.
Organizata vlerëson se detyrat e parapara për këto pozita, si administrimi i dokumentacionit, koordinimi institucional, organizimi i takimeve, hartimi i raporteve, komunikimi publik dhe mbështetja teknike-administrative, përfaqësojnë funksione të rregullta të administratës dhe jo shërbime të veçanta profesionale që kërkojnë kontraktim të jashtëm.
D+ thekson se Rregullorja Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik përcakton se kontraktorët individualë mund të angazhohen vetëm për ekspertizë specifike që nuk mund të sigurohet përmes procedurave të rregullta të rekrutimit në administratën publike.
Sipas organizatës, përdorimi i Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta nuk duhet të shërbejë si zëvendësim i rekrutimit të rregullt të personelit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, andaj kërkon anulimin e kësaj procedure të prokurimit. /Kosova.info/
