AKB: Rritje në statistika, por varfëri në realitet – qytetarët dhe bizneset po përballen me kosto gjithnjë e më të larta
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen ekonomike në Kosovë duke vlerësuar se ekziston një hendek i madh ndërmjet statistikave zyrtare që flasin për rritje ekonomike dhe realitetit me të cilin po përballen qytetarët dhe bizneset.
Sipas AKB-së, nëse rritja ekonomike pasqyrohet vetëm në raporte dhe tregues statistikorë, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me rritje të çmimeve, ulje të fuqisë blerëse dhe vështirësi në përballimin e kostos së jetesës, atëherë nuk mund të flitet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Organizata thekson se bizneset kosovare po përballen me rritje të vazhdueshme të kostove të energjisë elektrike, pagave, lëndëve të para, transportit dhe shërbimeve, gjë që po e vështirëson ruajtjen e konkurrueshmërisë së tyre në treg. Në të njëjtën kohë, konsumi i qytetarëve po ngadalësohet duke reflektuar pasigurinë ekonomike dhe rënien e standardit jetësor.
AKB vlerëson se zhvillimi ekonomik duhet të matet përmes mirëqenies së qytetarëve, fuqizimit të sektorit privat, rritjes së eksporteve, investimeve produktive dhe krijimit të vendeve të reja të punës, e jo vetëm përmes treguesve statistikorë që nuk reflektohen në jetën e përditshme.
Sipas saj, raportet e institucioneve ndërkombëtare vazhdojnë ta rendisin Kosovën ndër vendet me të ardhurat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, ndërsa inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës mbeten ndër shqetësimet kryesore të familjeve dhe komunitetit të biznesit.
Për këtë arsye, AKB u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të fokusohen në politika konkrete ekonomike, të cilat mbështesin prodhimin vendor, eksportin, investimet private, uljen e kostove për bizneset dhe rritjen reale të mirëqenies së qytetarëve.
“Ekonomia nuk matet me deklarata politike, por me gjendjen financiare të familjeve dhe me aftësinë e bizneseve për të mbijetuar, investuar dhe krijuar vende pune”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Këto përfundime u theksuan edhe gjatë vizitës së afaristit të njohur Shiqeri Emrllahu, i cili vepron në Kosovë dhe Austri në sektorët e teknologjisë informative dhe ndërtimit. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, e falënderoi Emrllahun për vizitën dhe kontributin që po jep në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe për angazhimin dhe besimin e vazhdueshëm si anëtar i Aleancës Kosovare të Bizneseve. /Kosova.info/
