Rama njofton ndryshime në qarkullim në Lakrishtë dhe Arbëri, nga sot hyjnë në fuqi rrugët njëkahëshe
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar qytetarët, pjesëmarrësit në trafik dhe banorët e lagjeve Lakrishtë dhe Arbëri për ndryshime të rëndësishme në organizimin e qarkullimit rrugor.
Sipas njoftimit, nga data 13 qershor duke filluar nga ora 06:00, rruga “Vicianum” do të funksionojë me një kah të qarkullimit. Lëvizja do të lejohet nga kryqëzimi me rrugën “Ahmet Krasniqi” në drejtim të rrugës “Magjistrale M-2” në Prishtinë.
Po ashtu, rruga “Hekurudha” do të jetë njëkahëshe duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Magjistrale M-2”, në drejtim të rrugëve “Tirana” dhe “Bekim Fehmiu”.
Ndërkohë, rrugët “Bekim Fehmiu” dhe “Tirana” do të vazhdojnë të jenë me dy kahe të qarkullimit, pa ndryshime në regjimin aktual të trafikut.
Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë sinjalistikën e re rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe lehtësimit të lëvizjes në këto zona të qytetit. /Kosova.info/
