Pas reshjeve të djeshme, sot mot me diell e vranësira në Kosovë, temperatura deri në 23°C
Kosova do të jetë sot nën ndikimin e motit kryesisht me diell dhe vranësirave të shpërndara.
Sipas një njoftimi të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 20 deri në 23 gradë Celsius.
Instituti vlerëson se reshjet e shiut që përfshinë vendin gjatë ditës së djeshme kanë pasur ndikim pozitiv në mjedis dhe në sektorë të ndryshëm të jetës. Sipas IHMK-së, ato kanë përmirësuar lagështinë e tokës, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore.
Po ashtu, reshjet kanë ndikuar në uljen e përqendrimit të ndotësve në atmosferë dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit, ndërsa kanë kontribuar edhe në shtimin e rezervave ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore, të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe ruajtjen e ekosistemeve natyrore.
