Muja miraton dy vendime për sektorin e qumështit: Çmim referent dhe kontrata të detyrueshme për zinxhirin e furnizimit

Ministri në detyrë i Ministrisë së Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja, ka miratuar dy vendime të rëndësishme që synojnë forcimin e transparencës, drejtësisë dhe qëndrueshmërisë në sektorin e qumështit në Kosova.

Vendimi i parë parasheh publikimin e rregullt të Çmimit Referent të Qumështit përmes Platformës Kombëtare të Qumështit. Ky çmim do të përcaktohet mbi bazën e të dhënave relevante që përfshijnë prodhimin vendor, kostot, importin, përpunimin, nivelin e çmimeve dhe zhvillimet në treg. Qëllimi është krijimi i një orientimi të qartë për të gjithë akterët e zinxhirit të qumështit, nga prodhuesit deri te përpunuesit.

Vendimi i dytë përcakton se marrëdhëniet në zinxhirin e qumështit do të rregullohen me kontrata të detyrueshme me shkrim. Këto kontrata do të përfshijnë kushte të qarta për çmimin, standardet e cilësisë dhe afatet e pagesës, të cilat nuk do të kalojnë 30 ditë.

Sipas këtij vendimi, fermerët do të kenë më shumë siguri dhe transparencë në punën e tyre duke ditur saktësisht: vlerën reale të qumështit që prodhojnë, kushtet e shitjes së produktit dhe dhe afatin e pagesës për produktin e dorëzuar.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, këto masa përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu më të balancuar dhe më të drejtë për prodhuesit vendorë duke ndikuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të qumështit në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP