Shala: Reduktimi i trupave të KFOR-it tregon besimin e NATO-s në institucionet e sigurisë së Kosovës
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar se vendimi i NATO-s për reduktimin gradual të pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë nuk duhet interpretuar si tërheqje e Aleancës nga vendi, por si rezultat i një procesi të gjatë vlerësimi të situatës së sigurisë.
Sipas Shalës, gjatë shtatë muajve të fundit brenda strukturave të NATO-s dhe misionit të KFOR-it është zhvilluar një proces i detajuar vlerësimi, ku janë analizuar performanca e misionit, progresi i institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, si dhe niveli i gatishmërisë për t’u përballur me sfidat aktuale të sigurisë.
Ai theksoi se këto vlerësime janë bazuar në analiza të inteligjencës, kapacitete operative dhe në nivelin e përgatitjes institucionale të Republikës së Kosovës.
“Reduktimi i numrit të trupave mund të shihet si një sinjal pozitiv i besimit të NATO-s në stabilitetin e përgjithshëm të vendit, në profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe në zhvillimin gradual të kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës”, ka deklaruar Shala për Kosova.info.
Sipas tij, një element me rëndësi strategjike mbetet zbatimi i Planit Gjithëpërfshirës 10-vjeçar për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).
Shala ka vlerësuar se rezultatet e para të këtij transformimi tashmë janë të dukshme dhe po reflektohen në vlerësimet pozitive të partnerëve ndërkombëtarë.
Ai shtoi se, nëse vazhdon dinamika aktuale e zhvillimit, periudha pas vitit 2028 mund të sjellë diskutime konkrete për bartjen graduale të disa kompetencave dhe përgjegjësive nga KFOR-i tek Forcat e Armatosura të Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe zhvillimet e mjedisit të sigurisë.
Në fund, eksperti i sigurisë theksoi se ky vendim nuk duhet parë si zvogëlim i rëndësisë së Kosovës për NATO-n, por si dëshmi e progresit institucional të vendit dhe e rritjes së besimit të aleatëve në aftësinë e institucioneve kosovare për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë.
NATO: Optimizimi i KFOR-it në Kosovë pas përmirësimit të sigurisë
NATO ka bërë të ditur se ka nisur procesin e “optimizimit” të pranisë së KFOR-it në Kosovë, duke përshtatur gradualisht numrin e trupave gjatë vitit të ardhshëm, në përputhje me zhvillimet e sigurisë në terren.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), Alexus G. Grynkewich, deklaroi se përmirësimi i vazhdueshëm i situatës së sigurisë në Kosovë ka mundësuar ndërprerjen e dislokimit të forcave rezervë në janar, pas më shumë se dy vitesh rotacion të vazhdueshëm.
“NATO dhe KFOR-i mbeten plotësisht të përkushtuar për sigurinë dhe mbrojtjen në Kosovë,” tha Grynkewich, duke shtuar se rritja e stabilitetit ka ardhur si rezultat i fuqizimit të institucioneve të sigurisë në vend.
Ai theksoi se kushtet aktuale lejojnë përshtatjen e mëtejshme të madhësisë dhe pozicionimit të KFOR-it, por pa krijuar asnjë vakum sigurie. Sipas tij, çdo ndryshim do të jetë gradual, i bazuar në vlerësime të inteligjencës dhe i përshtatur me ciklet e rotacionit të trupave të vendeve anëtare.
NATO rikujtoi se pas tensioneve të vitit 2023 dhe sulmeve ndaj paqeruajtësve në Zveçan, misioni i KFOR-it u përforcua me rreth 1.000 ushtarë shtesë. Tani, me situatën e vlerësuar si më të qëndrueshme, prania ushtarake mund të optimizohet duke vazhduar garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Aleanca gjithashtu ritheksoi mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse si thelbësore për sigurinë afatgjatë dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas NATO-s, procesi i optimizimit të KFOR-it do të mbetet fleksibil dhe i kthyeshëm, në varësi të zhvillimeve të situatës së sigurisë në terren. /Kosova.info/
