Kosova synon forcimin e tregut përmes akreditimit dhe cilësisë

Cilësia, siguria dhe besueshmëria e produkteve janë elemente kyçe për zhvillimin ekonomik dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare. Kështu u tha në Ditën Botërore të Akreditimit, derisa institucionet vendore dhe partnerët evropianë theksuan rëndësinë e standardeve dhe të akreditimit për forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës.

Në Ditën Botërore të Akreditimit, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë theksuan rëndësinë e cilësisë, besueshmërisë dhe të standardeve për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimin e saj në tregun evropian. Në një aktivitet të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, ministrja në detyrë e Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se akreditimi është një nga mekanizmat kryesorë që garanton cilësinë e produkteve dhe të shërbimeve në vend.

“Jemi duke punuar në kornizës ligjore, duke e përafruar atë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në përputhje me obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Në kuadër të këtij procesi reformues, po punojmë edhe për ristrukturimin organizativ të ministrisë dhe të agjencive që veprojnë në kuadër të saj. Ky riorganizim do të rrisë efikasitetin dhe transparencën në punën që bëjmë për qytetarët e Republikës”, tha Mimoza Kusari Lila, ministre në detyrë e MINT-it .

Në këtë ngjarje foli edhe udhëheqësi i Sektorit për Çështje Politike, Ekonomike dhe Integrim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda.

“Plani i Rritjes i BE-së i ofron Kosovës mundësinë që të integrohet në zinxhirët e vlerës dhe të përfshihet në tregjet e përbashkëta. Po ashtu, vlerësimi i konformitetit dhe akreditimi i produkteve në sektorët e industrisë dhe të bujqësisë luajnë një rol kyç në këtë proces, veçanërisht për bizneset eksportuese”, tha Bogulaw Gertruda, udhëheqës i Sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrimit në Zyrën e BE-së në Prishtinë.

Ndërkaq, përmes një video-mesazhi, drejtoresha e përgjithshme e organit belg të akreditimit BELAC dhe presidente e Organizatës Evropiane për Bashkëpunim në Akreditim, Maureen Logghe, vlerësoi punën e Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës.

“Ju duhet të ecni në hap me zhvillimet e shpejta teknologjike, t`i kuptoni standardet dhe metodologjitë e reja, si dhe të siguroheni që vlerësimet tuaja të mbeten të qëndrueshme, të paanshme dhe të besueshme. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, megjithatë, përmes punës, ju bëni një ndryshim shumë konkret”, tha Maureen Logghe, drejtoreshë e Përgjithshme e akreditimit BELAC.

Dita Botërore e Akreditimit shënohet çdo vit për të promovuar rolin e akreditimit në garantimin e standardeve, sigurisë dhe besueshmërisë në tregjet moderne.

Go to TOP