Trump kërcënon se do ta sulmojë përsëri Iranin, nëse nuk finalizohet marrëveshja për paqe

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do ta sulmojnë Iranin “shumë ashpër”, nëse nuk finalizohet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës tremujore.

“Ne do t’i sulmojmë ata, do t’i sulmojmë shumë fort”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se Republika Islamike do të goditej pikërisht të mërkurën.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Irani rrëzoi një helikopter të ushtrisë amerikane në Ngushticën e Hormuzit. Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara thanë se më 9 qershor kishin kryer sulme “për t’u vetëmbrojtur” kundër Iranit.

Nga ana e tij, Irani njoftoi të mërkurën se kishte goditur baza amerikane në rajon, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane.

Në një postim në platformën X, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se vendi i tij do t’i bëjë ballë çfarëdo trysnie dhe se kërcënimet e Trumpit janë shenjë e dëshpërimit të Uashingtonit.

Duke folur para gazetarëve, Trump pretendoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë marrë naftë nga Irani.

“Po e bëj publike sot për herë të parë, por ne kemi nxjerrë miliona fuçi naftë, miliona fuçi çdo natë”, tha Trump, duke shtuar se Irani “vetëm tani e ka kuptuar këtë”.

Lidhur me negociatat me Iranin, Trump shtoi: “Ne duam marrëveshje që ka kuptim, duam një marrëveshje që funksionon. Ishim shumë pranë një marrëveshjeje, por ata vazhdojnë të na zvarrisin, vazhdojnë të luajnë me ne sikur të ishim budallenj”.

Trump tha se Irani tashmë është pajtuar për të mos zhvilluar armë bërthamore – një nga kërkesat kryesore të Uashingtonit – por marrëveshja nuk është nënshkruar ende.

Më herët të mërkurën, bordi i guvernatorëve me 35 anëtarë i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së miratoi një rezolutë të mbështetur nga SHBA-ja, e cila kërkon që Irani t’i tregojë rezervat e mbetura të uraniumit të pasuruar dhe t’i lejojë inspektorët të hyjnë në vend.

Ambasadori iranian në Austri, Reza Najafi, i tha AFP-së se rezoluta është “kundërproduktive” dhe pengesë për bisedimet me Uashingtonin.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit për Lindjen e Mesme, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, sugjeroi se armëpushimi i papërsosur është më i mirë sesa rikthimi në një luftë të plotë.

“Nuk duhet ta nënvlerësojmë rrezikun që një zjarr i vogël të shndërrohet në zjarr të madh, ose me fjalë të tjera: në një luftë të plotë”, tha ai.

Më herët, Trump deklaroi se ushtria iraniane është “mposhtur plotësisht”, duke paralajmëruar Teheranin se do të “paguajë çmimin” për faktin se “po vonohet shumë për ta negociuar një marrëveshje” me Uashingtonin.

Teherani dhe Uashingtoni janë përfshirë në negociata që prej 8 prillit, kur një armëpushim i dha fund fushatës së bombardimeve amerikano-izraelite kundër Iranit.

Megjithatë, disa çështje të ndërlikuara kanë penguar arritjen e një marrëveshjeje, përfshirë fatin e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar, luftën e vazhdueshme të Izraelit kundër Hezbollahut në Liban dhe kërkesën e Teheranit që Uashingtoni të lirojë fondet iraniane të ngrira jashtë vendit.

Go to TOP