Panduri pushtetit: Mund të tentoni të na frikësoni, por nuk mund t’i mbyllni 321 mijë sytë që na ndjekin çdo natë

Autori dhe moderatori i emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, ka reaguar pas diskutimeve për mundësinë e ndërprerjes së emisionit nga Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) duke theksuar se presionet ndaj mediave nuk mund ta ndalin të vërtetën.

Përmes një deklarimi publik, Panduri iu drejtua pushtetit duke thënë se aktualisht kontrollon gjithçka, por nuk mund të mbyllë zërin e qytetarëve dhe audiencës që e ndjek emisionin prej vitesh.

“Po, mundeni me propozu me na mbyllë, ose në fakt veç mundeni me tentu me na frikësu duke e përmend mbylljen. Por keni harru se nuk keni punë veç me një emision, autor, moderator a televizion”, ka deklaruar ai.

Panduri ka theksuar se “Debat Plus” ndiqet nga qindra mijëra qytetarë, të cilët, sipas tij, janë sy kritikë dhe dashamirë të së vërtetës.

“Ju keni punë me 321 mijë sy të vëmendshëm, kritikë e dashamirë që na shikojnë çdo natë, për vite me radhë, gati një dekadë. Ju asesi nuk mund t’i mbyllni sytë e tyre dhe as dritaren tonë, dritaren e së vërtetës”, ka shtuar Panduri.

Në fund, ai ka theksuar se e vetmja gjë që mund të bëjnë kritikët apo kundërshtarët e emisionit është ta ndjekin atë nga ekrani duke e cilësuar “Debat Plus” si emisionin politik më të shikuar në vend.

“Krejt çka mundeni me bo ju, si çdo natë tjetër, është ta ndiqni nga ekrani Debat Plusin, emisionin më të shikuar politik në vend”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/

Go to TOP