KMShK dënon deklaratën e Drita Morinës për “Debat Plus”: Paralajmërimet për mbyllje janë presion ndaj lirisë së mediave
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar përmes një deklarate publike duke dënuar ashpër deklarimet e nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Drita Morina, e cila kishte paralajmëruar mundësinë e mbylljes së emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Në një vendimmarrje urgjente të zhvilluar online, anëtarët e KMShK-së vlerësuan se një deklarim i tillë nuk mbështetet në Kodin e Etikës të KPM-së dhe përbën shqetësim serioz për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes në Kosovë.
“Si profesionistë të mediave gjykojmë se organet e pavarura duhet të kenë shumë kujdes gjatë trajtimit të ankesave të tipit SLAPP ndaj mediave, sidomos kur ato ushtrohen nga eksponentë të partive politike”, thuhet në reagimin e KMShK-së.
Ky institucion i ka bërë thirrje KPM-së që të ruajë pavarësinë institucionale dhe të trajtojë rastet në mënyrë të drejtë, në përputhje me standardet dhe dispozitat e Kodit të Etikës.
Po ashtu, KMShK ka kërkuar nga anëtarët e KPM-së që të përmbahen nga deklaratat që, sipas tyre, janë të pamatura dhe të pabazuara lidhur me cilësinë e raportimeve të mediave në vend.
Sipas deklaratës, paralajmërimet për mbylljen e një emisioni mediatik pa një bazë të qartë ligjore apo etike përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj mediave dhe mund të cenojnë klimën e lirisë së shprehjes.
Në fund, KMShK u ka bërë thirrje anëtarëve të tjerë të KPM-së që të distancohen publikisht nga iniciativa të tilla duke vlerësuar se ato ndikojnë seriozisht në funksionimin e lirë dhe të pavarur të mediave në Kosovë. /Kosova.info/
