Kërcënimi i Vjosës me zgjedhje, sëmundje kronike për pushtet!
Shkruan: Florim ZEQA
Qytetarët nuk dolën të votojnë, sepse nuk kishin për çka dhe për kë të votojnë! Qytetari nuk del të votojë kot; ai dëshiron alternativë të re dhe të qartë zhvillimore për vendin, e jo përsëritje të së njëjtës lojë të pandershme politike!
Abstenimi në zgjedhje, shuplakë ndaj kësaj klase politike
Qytetarët janë lodhur nga ata që e përdorin shtetin për interesat e tyre personale, grupore apo partiake. Pesë palë zgjedhje në 16 muaj janë dëshmi e papërgjegjshmërisë politike dhe shtetërore të liderëve partiakë.
Bojkoti dhe abstenimi nga zgjedhjet i qytetarëve është thirrje e fuqishme për ndryshim, është ndëshkim ndaj partive politike dhe politikanëve të papërgjegjshëm kosovarë.
U bojkotuan zgjedhjet për faktin se qytetarët e duan më shumë shtetin sesa politikanët, të cilët po vazhdojnë me avazin e vjetër të kapjes së institucioneve shtetërore!
Bojkoti apo abstenimi në zgjedhje është shuplakë e fortë ndaj kësaj klase politike, e cila i ka shkëputur lidhjet me votuesit, për të cilët i bie ndërmend vetëm në prag të zgjedhjeve!
Unë Presidente ose s’ka qeveri për Kosovën!
Kjo është thirrja më e çmendur dhe më e tmerrshme që kam dëgjuar në këto vite të pas pavarësisë së Kosovës, që ndryshe i bie sikurse zënia e banesave dhe pronave publike pas lufte: “Kjo është e imja, mos e prek…!”
Kërcënimi i Vjosa Osmani-Sadriut pas përfundimit të zgjedhjeve, duke vazhduar në stilin e saj të vetëkënaqësisë për 2-3 mijë vota që ia shtoi LDK-së për vendin e tretë, e ekzaltuar deklaroi: “𝑉𝑒𝑡ë𝑣𝑒𝑛𝑑𝑜𝑠𝑗𝑎 𝑛𝑢𝑘 𝑘𝑎 𝑎𝑟𝑠𝑦𝑒 𝑡𝑎 𝑟𝑒𝑓𝑢𝑧𝑜𝑗ë 𝑒𝑚𝑟𝑖𝑛 𝑡𝑖𝑚 𝑝ë𝑟 𝑃𝑟𝑒𝑠𝑖𝑑𝑒𝑛𝑡𝑒”!
Ish-presidentja Vjosa Osmani, tani deputete e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës si bartëse e listës së LDK-së, pas fitores bindëse të Albin Kurtit, menjëherë filloi me stilin e saj arrogant, duke i vënë kushte fituesit të zgjedhjeve nga pozicioni i partisë së tretë në vend!
Pesha e saj (e vogël) politike jo vetëm që nuk është garanci e stabilitetit politik, por nuk i jep asaj komoditetin as të mendojë për postin e presidentes, e lëre më të zgjidhet për herë të dytë!
Fjalori arrogant i Vjosa Osmanit se Vetëvendosja “s’ka asnjë arsye ta refuzojë” emrin e saj për presidente, do të reflektojë negativisht në arritjen e një marrëveshjeje politike mes LVV-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje të mundshme!
T’i vësh kushte partisë pothuajse fituese absolute të zgjedhjeve me 17% të votave si subjekt politik dhe me peshë të vogël personale, duket çmenduri politike e Vjosa Osmanit!
Një personalitet si Vjosa Osmani, e cila nuk paraqet unitet politik në partinë e saj, si do të krijojë unitet mes forcave politike në vend!?
Edhe përkundër entuziazmit të madh për ngritjen e lehtë, LDK-ja mbetet sërish e treta dhe me një distancë të madhe prej mbi 25% nga Vetëvendosja!
Me këtë entuziazëm, Abdixhiku këtë rezultat, që e mban partinë në pozicionin e tretë, po e kthen në një festë për të forcuar pozicionin e tij brenda partisë, pasi në realitet nuk bëhet fjalë për rikthimin e madh të LDK-së, pasi ajo mbetet sërish në vendin e tretë!
Me këtë rezultat, LDK-ja, përveç kapjes nga grupet e interesit, tani është edhe e ngulfatur nga nepotizmi i binomit Lumiri-Vjosa, të cilët nuk kanë gjë të përbashkët me filozofinë politike rugoviane, e aq më pak me interesin e shtetit!
Vendi i tretë, i hidhur për LDK-në, i lumtur për binomin fatkeq Lumiri-Vjosa!
Batuta zgjedhore “13-18”, “18-13…”!
Përkthyer ndryshe, i bie vendnumërim për LDK-në!
Republika e Kosovës nuk është pronë private, presidenca nuk është monarki që trashëgohet nga askush. Kosova ka qenë më mirë para ardhjes së Vjosës presidente, sikurse LDK-ja pa Lumirin në krye të saj!
Për fund, një thirrje publike për Vjosa Osmanin
Motërmira Vjosë, para teje i kemi pasur edhe pesë presidentë, por asnjëri prej tyre nuk ka rënë në këtë derexhe për ta kërkuar edhe mandatin e dytë!
Lirohu nga egoja për pushtet për hir të dinjitetit njerëzor dhe imazhit pozitiv që kishe te qytetarët e Kosovës!
Tërheqja nga ambicia për mandatin e dytë presidencial do t’jua shtojë mbështetjen dhe respektin e qytetarëve.
Në të kundërtën, sëmundja (egoja) juaj nuk do të gjejë shërim as nga Albin Kurti dhe as nga opozita e përçarë!
Egoja dhe urrejtja e rrënojnë çdo personalitet!
