Osmani për CNN: Kompromisi vlera më e madhe në politikë, të punojmë me njëri-tjetrin
Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, në një intervistë për CNN International ka folur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Përgjatë kësaj interviste, presidentja e 6-të e vendit, tha se zëri i qytetarëve këtë herë ishte edhe më i qartë se ata duan kompromis midis forcave politike në mënyrë që institucionet të krijohen së bashku e jo vetëm nga një forcë politike.
Ajo shtoi se ndërsa vendet e tjera në rajon mund të zgjedhin rrugën ku dikush kontrollon gjithçka, Kosova ka qenë gjithmonë model ku bashkimi dhe puna e përbashkët e forcave politike për interesat nacionale ka sjellë përfitime brenda dhe jashtë vendit.
“Kompromisi është vlera më e mirë që mund të kesh në politikë. Pra, të gjithë do të duhet të punojnë me njëri-tjetrin. Dhe ne jemi gati t’i japim vendit tonë pikërisht këtë”, u shpreh ajo, duke saktësuar se është herët të thuhet se si do të sillen partitë e tjera.
Osmani tha se LDK është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me partitë politike, duke përjashtuar Listën Serbe.
“Jemi gati të ulemi dhe të bisedojmë me partitë politike, partitë e shumicës. Natyrisht, nuk duam të bisedojmë me partinë e vetme serbe që ka marrë pjesë në akte agresioni dhe shkelje të rendit kushtetues të Kosovës. Por çdo parti tjetër këtu, të gjithë rivalët e tjerë politikë janë të mirëpritur”, tha ajo.
