Tetë vjet pa Fadil Vokrrin, Agim Ademi: Përherë Legjendë e futbollit të Kosovës

Sot shënohen tetë vjet nga ndarja nga jeta e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Me këtë rast, kryetari i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar veprën dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme që Vokrri la pas në futbollin kosovar.

Përmes një mesazhi përkujtimor, Ademi theksoi se Fadil Vokrri ishte shumë më tepër se një futbollist i madh, duke e cilësuar atë si pjesë të identitetit të Kosovës dhe figurën më të shquar që ka nxjerrë futbolli kosovar.

“Ka emra që nuk i përkasin vetëm historisë, por bëhen pjesë e identitetit të një kombi. E një emër i tillë është padyshim Fadil Vokrri”, ka shkruar Ademi.

Ai kujtoi se Vokrri, i njohur për fanellën me numrin 9, ishte futbollisti më i madh i Kosovës në vitet e 80-ta dhe një golashënues i jashtëzakonshëm, i cili më 9 qershor 2018 u nda nga jeta, duke e lidhur përgjithmonë këtë datë dhe këtë numër me emrin e tij.

Sipas Ademit, trashëgimia e Vokrrit nuk kufizohet vetëm në sukseset e tij në fushën e lojës, por edhe në rolin vendimtar që pati në zhvillimin e futbollit kosovar dhe në realizimin e ëndrrës për anëtarësimin e Kosovës në organizatat më të mëdha të futbollit botëror.

“Nga sukseset në fushën e blertë deri te udhëheqja e futbollit të Kosovës drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, ai la gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë”, u shpreh Ademi.

Kreu i FFK-së theksoi se numri 9 simbolizon suksesin, lidershipin dhe vizionin e Vokrrit, ndërsa 9 qershori mbetet një datë që kujton jo vetëm humbjen e tij, por edhe obligimin për të vazhduar rrugën që ai ndërtoi për futbollin e Kosovës.

Në fund të mesazhit të tij, Ademi e cilësoi Fadil Vokrrin si frymëzim të përhershëm për brezat e rinj dhe simbol krenarie për të gjithë sportdashësit në Kosovë.

“Përherë në kujtimet tona. Përherë Legjendë”, përfundoi ai.

Go to TOP