Dushi: Askush s’duhet të jetë i kënaqur me vendin e tretë, LDK-ja duhet të kërkojë përgjegjësi

Florian Dushi, Kryetar i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, ka falënderuar strukturat dhe aktivistët e degës për angazhimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore duke vlerësuar se kjo degë ka shënuar performancën më të mirë në Kosovë.

Në një reagim publik, Dushi tha se rezultatet e degës së dytë janë ndikuar nga rezultati i përgjithshëm i LDK-së, por theksoi se aktivistët dhe veprimtarët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e bërthamës së partisë në zgjedhjet e fundit.

“Ju keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e bërthamës së LDK-së në këto zgjedhje, në rrethana të përsëritura, të njohura për të gjithë, ku qëllimi dhe mënyra e veprimit të të tjerëve përballë LDK-së kanë qenë të qarta: dobësimi deri në zhbërje i LDK-së”, ka shkruar ai.

Megjithatë, Dushi ka vlerësuar se rezultati i arritur nuk është i mjaftueshëm për LDK-në duke kërkuar reflektim dhe përgjegjësi brenda partisë.

“Asnjë interpretim kreativ i shifrave nuk duhet të na bëjë të dukemi të lumtur me pozitën e tretë të LDK-së”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se dega e dytë do të vazhdojë angazhimin e saj e bashkuar dhe e vendosur për çdo ballafaqim demokratik në të mirë të LDK-së.

Në fund, Dushi ka shprehur krenarinë për degën e dytë duke e cilësuar atë si shembull të unitetit, demokracisë së brendshme, përkushtimit dhe dashurisë së pakushtëzuar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Go to TOP