Vrasja në Gjakovë, Spitali “Isa Grezda” njofton për të plagosurit

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka dalë me njoftim lidhur me rastin e rëndë të ndodhur më 7 qershor, ku si pasojë e një incidenti janë pranuar katër persona të lënduar në Emergjencë.

Sipas njoftimit të spitalit, rreth orës 21:30, në shërbimin e emergjencës janë sjellë katër pacientë të lënduar, të shoqëruar nga familjarët e tyre.

“Njëri prej pacientëve është sjellë pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha procedurat e nevojshme të reanimimit, por përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, pacienti nuk ka arritur të mbijetojë si pasojë e lëndimeve të rënda të pësuara”, thuhen në njoftim.

Tutje thuhet se pacienti i dytë është hospitalizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy pacientët e tjerë, pas trajtimit dhe ekzaminimeve mjekësore, janë liruar për trajtim në kushte shtëpiake.

Nga spitali është bërë e ditur se stafi mjekësor ka reaguar menjëherë dhe ka ofruar kujdesin e nevojshëm për të gjithë të lënduarit.

Për rastin, spitali ka theksuar se informatat e mëtejshme janë në kompetencë të organeve të hetuesisë. /Kosova.info/

Go to TOP