Fadil Hadergjonaj kujton mrekullinë e Agnon Lubovcit në Koshare: U shpall i vdekur, por u rikthye në jetë pas katër ditësh
Njëri nga komandantët e Betejës më të lavdishme të UÇK-së, Koshares dhe Loxhës, Fadil Hadergjonaj Bjeshka, ka kujtuar një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme të luftës së UÇK-së, që lidhet me bashkëluftëtarin Agnon Lubovci, i cili më 8 qershor 1999 u plagos rëndë gjatë luftimeve në Rrasë të Koshares.
Hadergjonaj ka rrëfyer se atë ditë, vetëm një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës dhe tri ditë para hyrjes së saj në fuqi, luftimet në Koshare vazhdonin me intensitet të lartë.
Sipas tij, pas plagosjes së rëndë, Lubovci u transportua me urgjencë nga Kosharja në Bajram Curr dhe më pas me helikopter në Tiranë, ku mjekët bënë përpjekje maksimale për t’ia shpëtuar jetën. Megjithatë, për shkak të plagëve të rënda, ai u shpall i vdekur dhe trupi i tij u vendos në morgun e spitalit.
“Për katër ditë me radhë qëndroi në mesin e të vdekurve. Katër ditë heshtje, dhimbje dhe pritje”, ka shkruar Hadergjonaj.
Por pas katër ditësh ndodhi ajo që ai e cilëson si mrekulli. Në momentin kur dera e morgut u hap dhe drita e diellit depërtoi brenda, Agnon Lubovci hapi sytë, duke habitur mjekët dhe të gjithë ata që kishin dëgjuar lajmin për vdekjen e tij.
Pas rikthimit në jetë, ai u vendos menjëherë në trajtim intensiv dhe, pas një muaji përballje me plagët e marra në luftë, arriti të fitonte betejën më të vështirë – atë për jetën.
Hadergjonaj e ka cilësuar historinë e Lubovcit si një dëshmi të rrallë të sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe çmimit të lartë që u pagua për lirinë e Kosovës.
“Ka histori që nuk shkruhen në libra, por mbeten të gdhendura përgjithmonë në kujtesën e bashkëluftëtarëve. Kjo është njëra prej tyre. Jemi me fat që Agnonin e kemi sot në mesin tonë”, ka shkruar ai, duke i uruar bashkëluftëtarit të tij ditën e rilindjes.
Sipas Hadergjonajt, historia e Agnon Lubovcit mbetet një nga rrëfimet më të veçanta të luftës së Koshares, një histori që sfidoi kufirin mes jetës dhe vdekjes. /Kosova.info/
