Zgjedhjet nuk sollën ndryshim!
Shkruan: Florim ZEQA
Rezultati zgjedhor, edhe pse nuk ndikoi në renditjen e subjekteve politike, e imponon nevojën e një bashkëpunimi mes forcave politike në Kuvend.
Bojkoti qytetar ndaj zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të jetë alarm për të gjitha partitë parlamentare.
Qytetarët me mosdalje në votim i ndëshkuan të gjitha partitë
Rënia e madhe e numrit të qytetarëve që dolën në zgjedhje dhe e përqindjes së votuesve në të gjitha komunat e Kosovës, për 200 mijë votues apo 25.7% më pak në krejt Kosovën, është tregues i lodhjes së qytetarëve nga zgjedhjet e shpeshta dhe i humbjes së besimit në partitë ekzistuese.
Rënia në 36% e pjesëmarrjes së popullatës në zgjedhje ndikon në legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.
Kur 64% e qytetarëve i bojkotojnë zgjedhjet, kjo dëshmon rënien e besimit të qytetarëve në partitë ekzistuese!
200 mijë votues më pak krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar duhet të jenë shqetësim për të gjitha partitë politike.
Këta 200 mijë votues, me bojkotin zgjedhor, e shprehën revoltën e tyre ndaj të gjitha partive pa dallim, liderëve partiakë dhe politikanëve në veçanti, të cilët, për egot e tyre personale, e sollën pa nevojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Krahasimet e përqindjeve të partive politike me 36%-shin e daljes së votuesve në zgjedhje, përveçse qesharake, janë tendencioze në krahasim me fitoren e bojkotit qytetar!
Bojkoti i zgjedhjeve është ngritje e vetëdijes qytetare, e cila thërret si kushtrim për ngjizjen e një alternative të re politike.
ADN, e vetmja shpresë për shpëtim
Të dashur qytetarë dhe bashkatdhetarë, 7 qershori nuk ishte fillimi dhe as fundi i një epoke!
Ndryshimi i vërtetë pritet të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve, me daljen në skenë të Alternativës Demokratike për Ndryshim apo ADN-së politike shqiptare, siç e pëlqej ta quaj, të këtij projekti madhor për vendin, të hartuar me kujdes të veçantë nga ana ime!
Në ADN, secili qytetar dhe mërgimtar, kudo që ndodhet, do ta ketë mundësinë e pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe të krijojë mirëqenie për familjen e tij dhe të tjerët në shtetin e Kosovës, e jo si deri më tani, që ne, me votën tonë, t’i ngrisim në karrierë politikanët e papërgjegjshëm, të cilët më pas jo vetëm që na harrojnë, por krijojnë pasuri të paligjshme për veten, familjet e tyre dhe farefisin e gjerë!
Përmes ADN-së do t’i japim goditjen përfundimtare së keqes që e ka pllakosur vendin tonë në këto vite të paspavarësisë!
Mbase, është momenti i fundit që qytetarët dhe mërgimtarët të vetëdijesohen dhe ndërgjegjësohen për t’ua kthyer shpinën këtyre partive të dështuara në qeverisje dhe shtetndërtim!
Këto parti dhe këta politikanë e demaskuan veten e tyre me politikat hileqare dhe inatçore, duke e përçarë një popullatë të tërë!
Familja është e shenjtë, shteti është i shenjtë, kombi është i shenjtë dhe i patjetërsueshëm.
Andaj, që t’i shpëtojmë këto tri gjëra kaq të çmuara, duhet të bashkohemi rreth Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN), pasi kjo është e vetmja shpresë reale për ndryshim dhe shpëtim nga katandisja e mëtejshme e çdo vlere kombëtare dhe njerëzore në Republikën e Kosovës.
Ju mirëpres në rrugëtimin e përbashkët!
Me respekt dhe dashamirësi,
Florim Zeqa
Nismëtar i Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN)
