PZAP-ja gjobit LDK-në me 5 mijë euro, u keqpërdor e mitura në tubim zgjedhor
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar si të bazuara ankesat e paraqitura nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), duke e gjobitur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) me 5 mijë euro për shkak të pjesëmarrjes së një fëmije nën moshën 15-vjeçare në një aktivitet të fushatës zgjedhore.
Vendimi është marrë më 5 qershor 2026 nga paneli i përbërë nga kryesuesja Kymete Kicaj dhe anëtarët Skender Çoçaj e Arsim Hamzaj.
Edhe në një rast tjetër, PZAP e kishte pranuar si të bazuara ankesat e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me 5 mijë e 100 euro, për përdorimin e një fëmije nën moshën 15-vjeç në tubim zgjedhor në Vushtrri.
Sipas dispozitivit të vendimit, PZAP ka pranuar si të bazuara ankesën e IKD-së me numër ZP.Anr.13/2026 dhe ankesën e LVV-së me numër ZP.Anr.18/2026, të paraqitura më 4 qershor 2026. Për pasojë, LDK-së i është shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë eurosh, të cilën duhet ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas arsyetimit të vendimit, ankesa e IKD-së kishte të bënte me një tubim zgjedhor të LDK-së të mbajtur më 3 qershor 2026 në Viti, me fillim rreth orës 17:00.
IKD kishte pretenduar se nga video-incizimet e tubimit shihet se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i jep hapësirë në skenë një vajze të mitur e cila mban flamurin e subjektit politik. Sipas ankesës, Abdixhiku i është drejtuar publikisht vajzës duke i kërkuar që flamurin ta mbajë lart, ndërsa ajo ka vazhduar të qëndrojë në skenë para pjesëmarrësve të tubimit duke ekspozuar simbolin e partisë.
Në vendim citohet se përfshirja e të miturës nuk konsistonte vetëm në praninë fizike në tubim, por edhe në paraqitjen e saj në skenë me simbolin identifikues të subjektit politik dhe sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të kryetarit të partisë.Po ashtu, në ankesë është theksuar se gjatë aktivitetit, Abdixhiku iu referua vajzës si fëmijë, duke deklaruar: “Ne fëmijët nuk e shtyjmë me recitu poezi që e ofendojnë të tjerët, ne fëmijët i kemi krenarë…”.
Sipas IKD-së, kjo deklaratë dëshmonte se subjekti politik ishte i vetëdijshëm për përfshirjen e një fëmije në aktivitetin zgjedhor.
Ankesa po ashtu kishte evidentuar se fotografitë ku shihej vajza në skenë me flamurin e LDK-së ishin publikuar edhe në postimet e kryetarit të partisë në rrjetet sociale, lidhur me tubimin e mbajtur në Viti.
IKD kishte argumentuar se këto veprime përbëjnë shkelje të nenit 5, paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore Nr.07/2024 për Fushatën Zgjedhore, Monitorimin e Fushatës Zgjedhore dhe Deklarimin Financiar, i cili ndalon angazhimin e personave nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore.
Sipas kësaj dispozite, “asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatë zgjedhore”, ndërsa pjesëmarrja e fëmijëve nuk mund të bëhet pa prezencën ose pëlqimin e prindërve.
Ndërkaq, edhe në ankesën e LVV-së pretendohej se gjatë tubimit të 3 qershorit ishte identifikuar e njëjta shkelje. Sipas kësaj ankese, nga videoja e publikuar në rrjetet sociale shihej se gjatë kohës kur Abdixhiku po mbante fjalim para pjesëmarrësve, një vajzë e mitur ishte afruar në skenë duke mbajtur flamurin e LDK-së dhe ishte përfshirë në aktivitetin zgjedhor.
PZAP ka konstatuar se lejimi dhe mundësimi i pjesëmarrjes së fëmijëve në aktivitete zgjedhore bie ndesh me nenin 5, paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore Nr.07/2024, duke u mbështetur edhe në praktikën e mëparshme të krijuar në rastet ZP.Anr.11/2026 dhe ZP.Anr.12/2026.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda afatit prej 48 orësh nga momenti i pranimit të vendimit.
