Policia e Kosovës finalizon përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit, Hoxha: Procesi deri tani i qetë dhe pa incidente

Në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 7 qershorit, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot takime informuese dhe koordinuese me strukturat e saj drejtuese, si dhe me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të përfshira në monitorimin dhe mbështetjen e zgjedhjeve.

Takimi i parë u mbajt në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, ku morën pjesë drejtorët rajonalë dhe drejtorët e departamenteve të Policisë së Kosovës. Gjatë këtij takimi u diskutua për planifikimet operative, masat e sigurisë dhe angazhimet policore që synojnë garantimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe të sigurt në të gjithë territorin e vendit.

Më pas, u zhvillua një takim i dytë me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si dhe me përfaqësues të organizatave dhe misioneve ndërkombëtare që monitorojnë procesin zgjedhor. Në këtë takim u prezantuan përgatitjet policore, masat e planifikuara të sigurisë dhe mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për ditën e zgjedhjeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi rëndësinë e angazhimit profesional dhe të paanshëm të zyrtarëve policorë duke vlerësuar se deri më tani procesi zgjedhor është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa incidente që do të cenonin sigurinë publike apo aktivitetet zgjedhore.

Gjatë takimeve u prezantuan edhe detyrat operative, përgjegjësitë institucionale dhe aktivitetet koordinuese që do të ndërmerren para, gjatë dhe pas procesit të votimit. Fokus i veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, sigurisë së qendrave të votimit dhe garantimit të ushtrimit të lirë të së drejtës së votës nga qytetarët.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet përgjegjëse, me qëllim që zgjedhjet e 7 qershorit të zhvillohen në mënyrë të sigurt, demokratike dhe në përputhje me standardet ligjore. /Kosova.info/

Go to TOP