Miftaraj akuzon LVV-në: Po keqpërdoren fëmijët për përfitime politike
Ehat Miftaraj ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së një vajze të mitur në aktivitetet e fundit të fushatës parazgjedhore duke e cilësuar këtë si keqpërdorim për qëllime politike.
Në reagimin e tij, Miftaraj ka shtruar disa pyetje publike duke vënë në pikëpyetje arsyen pse, sipas tij, një fëmijë po përdoret për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të përçuar mesazhe politike.
Ai ka kritikuar edhe gjuhën që, sipas tij, i atribuohet një të miture duke thënë se kjo ndikon drejtpërdrejt në dinjitetin dhe mirëqenien e saj. “A ka ndonjë kufi dëshira për pushtet?”, ka pyetur ai duke shtuar se edhe fushatat zgjedhore duhet të respektojnë standarde etike dhe njerëzore.
Miftaraj e ka cilësuar situatën si shqetësuese duke theksuar se përfshirja e fëmijëve në debate politike përbën shkelje të parimeve themelore të mbrojtjes së tyre dhe duhet të ndalet menjëherë.
Reagimi i tij vjen në kohën kur fushata zgjedhore në vend është intensifikuar, ndërsa përdorimi i gjuhës dhe metodave të komunikimit nga subjektet politike po vazhdon të jetë në fokus të kritikave publike. /Kosova.info/
