Abdixhiku uron Kurban Bajramin nga BIK-u: Festa që na mëson sakrificën dhe solidaritetin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot Bashkësia Islame e Kosovës, ku u prit nga Myftiu Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajrami.
Në emër të anëtarësisë së LDK-së, Abdixhiku uroi Myftiun Tërnava, bashkëpunëtorët e tij dhe, përmes tyre, të gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë të rëndësishme duke theksuar simbolikën e saj si festë e sakrificës, devotshmërisë dhe solidaritetit njerëzor.
“Kurban Bajrami na mëson sakrificën si një nga vlerat më sublime njerëzore; obligimin ndaj Krijuesit, por edhe ndaj njëri-tjetrit. Na kujton rëndësinë e solidaritetit me ata që kanë nevojë, të mirësisë ndaj familjes, miqve dhe gjithë shoqërisë sonë. Uroj që këto vlera të na shoqërojnë jo vetëm në ditë feste, por në çdo ditë të sjelljes sonë,” u shpreh Abdixhiku.
Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë ata që edhe gjatë ditëve festive mbeten në shërbim të qytetarëve, përfshirë gazetarët, punonjësit shëndetësorë, pjesëtarët e sigurisë dhe të gjithë kontribuuesit e jetës publike.
Në përmbyllje, ai uroi që kjo festë të sjellë paqe, mirësi dhe solidaritet në çdo familje.
Me fat Kurban Bajrami! /Kosova.info/
