Bajqinovci nga Gollaku: Transporti publik po afron qytetarët me kryeqytetin

Drejtori i Drejtorisë së Mobilitetit në Prishtinë, Pëllumb Bajqinovci, ka kaluar këtë të diel në natyrën e bukur të Gollakut, ku ka udhëtuar me linjën e Trafiku Urban për të parë nga afër funksionimin e transportit publik dhe për të dëgjuar qytetarët.

Gjatë udhëtimit, Bajqinovci ka bashkëbiseduar me qytetarë që shfrytëzojnë këtë linjë duke diskutuar për nevojat, pritjet dhe sfidat që hasin në përditshmëri. Ai theksoi rëndësinë që ka transporti publik në lidhjen e zonave rurale si Gollaku me kryeqytetin duke e cilësuar atë si një faktor kyç për zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Sipas tij, institucionet komunale duhet të jenë sa më afër qytetarëve duke dëgjuar sugjerimet dhe vërejtjet e tyre për të ofruar shërbime më cilësore dhe efikase.

Bajqinovci gjithashtu nënvizoi se angazhimi i Komuna e Prishtinës do të vazhdojë në drejtim të përmirësimit të mobilitetit urban dhe krijimit të një sistemi transporti që i përgjigjet nevojave të të gjithë qytetarëve. /Kosova.info/

Go to TOP