Mirëpritet vendimi i Vitisë për specializimin e farmacistëve në Biokimi
Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për rikthimin e mundësisë që magjistrat e farmacisë të ndjekin specializimin në Biokimi Klinike.
Sipas OFK-së, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për shkollimin specialistik, me të cilin mundësohet që Biokimia Klinike të ndiqet edhe nga farmacistët.
Oda e Farmacistëve vlerëson se ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të Strategjisë Nacionale të Farmacisë dhe adresimit të kërkesave të ngritura nga komuniteti farmaceutik.
“Ky vendim dëshmon gatishmërinë e Ministrisë për të adresuar shqetësimet e ngritura nga OFK dhe paraqet hap të rëndësishëm drejt zbatimit të Strategjisë Nacionale të Farmacisë”, thuhet në reagimin e OFK-së.
Tutje, OFK ka shprehur pritjen për hapa të tjerë në drejtim të implementimit të Strategjisë Nacionale të Farmacisë, duke theksuar përkushtimin për bashkëpunim institucional në funksion të avancimit të profesionit farmaceutik dhe interesit të farmacistëve. /Kosova.info/
