Avdyli: Sulmet e PSD-së po i japin shtysë LDK-së para 7 qershorit

Ish deputeti Haxhi Avdyli ka reaguar ndaj kritikave të vazhdueshme nga Partia Socialdemokrate e Kosovës duke i cilësuar ato si tregues të “sikletit politik” përballë rritjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas Avdylit, PSD në të kaluarën ishte fokusuar kryesisht te Lëvizja Vetëvendosje, derisa kjo e fundit u rrit dhe doli forcë e parë politike. Ai vlerëson se një qasje e ngjashme po ndiqet tani ndaj LDK-së, për shkak të, siç thotë ai, ringritjes dhe bashkimit të saj.

“Sa më i madh sikleti i tyre, aq më i madh do të jetë rezultati për LDK-në më 7 qershor”, ka theksuar Avdyli duke ironizuar edhe fuqinë elektorale të PSD-së.

Deklarata e tij vjen në prag të zgjedhjeve, ndërsa përplasjet mes subjekteve politike po intensifikohen, me akuza dhe kundërakuza për ndikim dhe mbështetje elektorale. /Kosova.info/


Go to TOP