Avdyli ironizon Kurtin: 51% espresso, por 51% autostradë e mbyllur prej vitesh
Ish deputeti Haxhi Avdyli ka reaguar me tone ironike ndaj kryeministrit Albin Kurti duke kritikuar zvarritjen e punimeve në autostradën Autostrada Ibrahim Rugova.
Përmes një deklarate publike, Avdyli ka thënë se “espresso 51%”, përqindjet mund të rriten apo ulen, por sipas tij është e papranueshme që për një periudhë të gjatë një pjesë e autostradës të mbetet e bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Ai theksoi se, sipas llogaritjeve të tij, nëse çdo ditë do të hiqej simbolikisht nga një “filxhan” dheu për rreth 700 ditë, rruga sot do të ishte plotësisht e kalueshme, madje duke shtuar se për disa vite mund të ndërtohej edhe ndonjë autostradë e re.
Avdyli kritikoi gjithashtu qasjen politike duke thënë se fushatat me “poezi, fjalë dhe espresso” mund të sjellin vota, por nuk zëvendësojnë investimet kapitale dhe projektet infrastrukturore konkrete.
Në fund, ai ngriti shqetësimin se diskutimi për mungesën e investimeve të mëdha shpesh perceptohet si kritikë e papranueshme duke paralajmëruar për një klimë ku zërat kritikë mund të etiketohen si “tradhtarë”. /Kosova.info/
