Spahiu: Bllokimi i llogarive nga përmbaruesi rrezikon funksionimin e RTK-së
Radiotelevizioni i Kosovës po përballet me një situatë të rënduar financiare si pasojë e procedurave përmbaruese, përkatësisht bllokimit të llogarisë bankare me kërkesë të përmbaruesit privat, Flamur Bogaj, që lidhet me një kontest gjyqësor të kahershëm me kompaninë “Grand Media”, me pronar Enis Ujkani.
U.D. Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, ka reaguar ndaj situatës së krijuar, duke paralajmëruar se bllokimi i llogarive bankare rrezikon funksionimin normal të transmetuesit publik, përfshirë realizimin e obligimeve ndaj punonjësve dhe ushtrimin e misionit të RTK-së.
“Sot, Radiotelevizioni i Kosovës po përballet me një situatë jashtëzakonisht të rëndë financiare si rezultat i bllokimit të llogarive bankare nga procedura përmbarimore lidhur me një aktgjykim të formës së prerë, në çështjen juridike të paditësit Grand Media. Ky veprim ka krijuar vështirësi serioze në funksionimin normal të institucionit dhe ka vënë në rrezik edhe ekzekutimin e pagave të punonjësve të RTK-së”, ka thënë Spahiu.
Ajo tutje ka thënë se RTK-ja mbetet institucion publik me rëndësi të veçantë për informimin e qytetarëve dhe funksionimin demokratik të vendit.
“Për këtë arsye, kjo situatë nuk është vetëm çështje financiare e RTK-së, por prek drejtpërdrejt stabilitetin e transmetuesit publik. Ne do t’u drejtohemi institucioneve kompetente dhe do të kërkojmë mbështetje urgjente financiare dhe institucionale, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e funksionimit të RTK-së dhe mbrojtja e interesit publik. Njëkohësisht, siguroj qytetarët dhe punonjësit tanë se do të bëjmë çdo përpjekje ligjore dhe institucionale për ta menaxhuar këtë situatë me përgjegjësi të plotë”, ka shtuar Spahiu.
Kontesti gjyqësor mes RTK-së dhe kompanisë “Grand Media”, lidhur me emisionin “Kush do të bëhet milioner”, i cili ishte transmetuar vite më parë në RTK, është një proces i gjatë, i cili ka kaluar nëpër disa instanca gjyqësore dhe që ende nuk e ka marrë epilogun përfundimtar juridik. Kjo pasi që ndaj aktgjykimit të fundit të Gjykatës Komerciale, RTK ka parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, i cili aktualisht është ende në shqyrtim.
“Pavarësisht kësaj, mbi bazën e këtij aktgjykimi është iniciuar procedura përmbarimore nga përmbaruesi privat. Ndaj urdhrit përmbarimor kemi ushtruar prapësim, i cili është refuzuar nga Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë, ndërsa kundër këtij vendimi kemi paraqitur ankesë në shkallën e dytë, e cila po ashtu është ende në shqyrtim. Po ashtu, kemi kërkuar shtyrjen e përmbarimit, duke argumentuar qartë gjendjen financiare të RTK-së dhe rrezikun serioz që një veprim i tillë mund të shkaktojë probleme për funksionimin normal të transmetuesit publik. Megjithatë, përmbaruesi ka aprovuar vetëm një shtyrje prej 30 ditësh, pa marrë ne konsideratë në mënyrë të duhur interesin publik dhe rolin e RTK-së si institucion publik me rëndësi të veçantë”, ka nënvizuar Spahiu.
Ajo tutje ka thënë se qëndrimi i menaxhmentit të RTK-së është se ndërmarrja e veprimeve përmbarimore në këto rrethana, kur procedurat juridike ende janë aktive, krijon pasoja serioze dhe potencialisht të pariparueshme për funksionimin e RTK-së.
Të kujtojmë se kompania në fjalë e kishte paditur RTK-në në vitin 2014, duke pretenduar se menaxhmenti i atëhershëm i transmetuesit publik e kishte ndërprerë emisionin në mënyrë të njëanshme, pa paralajmërim dhe në kundërshtim me kontratën.
Aktgjykimi i formës së prerë dhe vlera e detyrimit, bashkë me kamatat dhe shpenzimet arrin shifrën rreth 950 mijë euro.
Kjo krizë financiare në RTK po ndodh në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, në një periudhë kur transmetuesi publik pritet të ketë rol kyç në informimin e qytetarëve dhe mbulimin e procesit zgjedhor.
