Tetë futbollistë për çmimin e lojtarit më të mirë në Premier League

Erling Haaland, Bruno Fernandes, Declan Rice dhe Antoine Semenyo janë në mesin e tetë kandidatëve për çmimin “Lojtari i Sezonit” në Premier League për edicionin 2025/26.

Në listën e publikuar nga Premier League bëjnë pjesë edhe David Raya, Gabriel Magalhaes, Morgan Gibbs-White dhe Igor Thiago.

Tre kandidatë vijnë nga Arsenal: Raya, Gabriel dhe Rice,  ndërsa Haaland dhe Semenyo përfaqësojnë Manchester City. Në listë gjithashtu ka edhe përfaqësues të Manchester United, Nottingham Forest dhe Brentford.

Vëmendje të madhe ka marrë sezoni i Semenyo, i cili e ka nisur kampionatin te Bournemouth dhe më pas ishte transferuar te Manchester City në janar. Futbollisti nga Gana ka pasur ndikim të menjëhershëm në skuadrën e Pep Guardiola, duke fituar edhe çmimin “Lojtari i Muajit” në shkurt.

Njëzet e gjashtë vjeçari deri tani ka zhvilluar tridhjetë e pesë ndeshje në Premier League, duke realizuar gjashtëmbëdhjetë gola dhe katër asistime.

Ndërkohë, Haaland mbetet golashënuesi më i mirë mes kandidatëve me njëzet e gjashtë gola këtë sezon.

Fituesi do të përcaktohet nga votat e tifozëve dhe një panel ekspertësh të futbollit. Votimi mbetet i hapur deri më 18 maj, ndërsa emri i fituesit do të shpallet më 23 maj.

Go to TOP