Në 27-vjetorin e rënies përkujtohet heroi komandant Qamil Ilazi `Bardhi`

Në Komunën e Kaçanikut janë mbajtur sot aktivitete përkujtimore në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të rënë 27 vite më parë gjatë luftës për liri.

Homazhe dhe manifestime përkujtimore u organizuan në disa lokalitete të komunës. Në Gjurgjedell u përkujtuan dëshmorët Rizvan dhe Xhezair Bela, Sakip Mulaku dhe Ejup Dushkaja, si dhe martirët Hajdin Bela, Zejnete Avdiu, Selvete e Miradije Kuka dhe Osman Jezerci.

Ndërkaq, në Llanishtë u nderuan Burhan Zeneli dhe Hesat Axhami, ndërsa te Vesti u përkujtuan Komandanti i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazi – Komandant Bardhi, si dhe dëshmori Selim Shehu.

Manifestimi qendror u mbajt në Shkollën Fillore “Qamil Ilazi”, ku morën pjesë qytetarë, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues institucionalë.

Me këtë rast, Sabedin Vishi tha se figura e Komandant Qamil Ilazi mbetet simbol i sakrificës dhe lirisë, duke theksuar se dëshmorët u flijuan për të ardhmen e vendit.

“Si institucione dhe qytetarë kemi obligim që këto vlera të mëdha kombëtare t’i ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj”, u shpreh ai.

Në emër të organizatave të dala nga lufta foli edhe Jashar Selimi.

Aktivitetet përkujtimore u përmbyllën me një program kulturo-artistik nga nxënësit e shkollës “Qamil Ilazi” dhe homazhe pranë pllakave përkujtimore dhe Kompleksit Memorial te Varrezat e Dëshmorëve. /Kosova.info/


Go to TOP