Behrami: Bashkimi në PDK duhet të ndodhë, Fatmir Limaj të bëhet pjesë e fushatës
Kandidati për deputet nga PDK, Artan Behrami ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Partia Demokratike e Kosovës duke thënë se ditët e fundit nuk kanë qenë të lehta as për partinë dhe as për të personalisht.
Behrami ka deklaruar se ka qenë mbështetës i madh i rikthimit të Fatmir Limaj në PDK duke vlerësuar se emri i tij, si një nga ish-themeluesit e partisë, do ta pasuronte edhe më shumë listën zgjedhore.
Megjithatë, ai ka theksuar se respekton vendimin e Kryesisë së partisë duke shtuar se gjithmonë ka respektuar vendimet e PDK-së edhe në rastet kur nuk është pajtuar me to.
“Për mua, PDK-ja ka qenë dhe mbetet më e madhe se çdo individ”, ka shkruar Behrami.
Ai ka vlerësuar se elektorati i PDK-së është dashur të dëgjohej më shumë gjatë këtij procesi duke e cilësuar zërin e tyre si të sinqertë dhe thirrje për bashkim.
Sipas tij, edhe Fatmir Limaj duhet ta dëgjojë këtë zë dhe të bëhet pjesë e fushatës për “realizimin e ndryshimit të madh”, para rikthimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Behrami ka theksuar se sot më shumë se kurrë nevojitet bashkim, respekt dhe kthim te vlerat mbi të cilat është ndërtuar PDK-ja.
Ai ka lavdëruar edhe qëndrueshmërinë e elektoratit të partisë ndër vite duke thënë se mbështetësit e PDK-së nuk janë dorëzuar përballë padrejtësive, presioneve, kërcënimeve apo, siç është shprehur ai, “tezgave të shitblerjes së votave”.
Në fund, Behrami ka potencuar se bashkimi brenda spektrit politik të lidhur me PDK-në “herët a vonë duhet të ndodhë”. /Kosova.info/
