Dumoshi: Nuk do të kandidoj për deputete, por do të vazhdoj angazhimin në LDK

Ish deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi ka bërë të ditur se nuk do të jetë kandidate për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit duke falënderuar qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë rrugëtimit të saj politik.

Përmes një njoftimi publik, Dumoshi theksoi se vendimi për të mos kandiduar nuk nënkupton tërheqje nga politika, pasi ajo do të vazhdojë të jetë aktive në strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo bëri të ditur se do ta vazhdojë angazhimin si kryetare e Forumit të Gruas në Degën IV të LDK-së në Prishtinë, si dhe si kryetare e nëndegës “Santea”.

Dumoshi njoftoi po ashtu se do të jetë pjesë e shtabit të Degës IV dhe do të kontribuojë në fushatën zgjedhore të LDK-së.

“Besoj në LDK, besoj në njerëzit e saj dhe në rrugën që duhet ta ndjekim së bashku”, ka deklaruar ajo duke u bërë thirrje qytetarëve që më 7 qershor ta votojnë LDK-në. /Kosova.info/


Go to TOP