Gërvalla: Fehmi Agani ishte njeri i shtetit para se shteti të ekzistonte

Donika Gërvalla ka vlerësuar figurën e profesor Fehmi Agani duke e cilësuar si “trurin e rezistencës civile” dhe një nga personalitetet që i dha drejtim politik Kosovës në periudhat më të vështira.

Në fjalën e saj gjatë një aktiviteti përkujtimor, Gërvalla tha se Agani nuk ishte vetëm figurë historike, por një njeri pranë të cilit shumë të rinj janë formuar politikisht dhe kombëtarisht.

Ajo kujtoi qetësinë, maturinë dhe mençurinë e tij në kohët kur Kosova përballej me pasiguri dhe tensione të mëdha duke theksuar se ai besonte se popujt mbijetojnë “me mençuri, durim dhe vizion”.

Sipas saj, profesori nuk kishte nevojë për retorikë të zhurmshme apo kult personal, pasi “forca e tij ishte pesha e mendimit”.

Gërvalla foli edhe për lidhjen e veçantë mes Fehmi Aganit dhe Sali Çekaj duke thënë se të dy e kishin kuptuar herët se liria nuk fitohet vetëm me armë apo me fjalë, por me bashkimin e njerëzve të ndryshëm rreth të njëjtit ideal.

Ajo shtoi se Kosovës edhe sot i mungon kultura politike që përfaqësonte Agani: serioziteti, maturia dhe përgjegjësia ndaj shtetit.

“Nuk kujtojmë vetëm një intelektual apo politikan. Kujtojmë një kulturë politike që sot na mungon shpesh”, deklaroi Gërvalla.

Në fund, ajo falënderoi Konsullin e Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, Saim Tahiraj, Shoqatën “Sali Çekaj” dhe Muzeu i Kosovës për organizimin e ekspozitës përkujtimore. /Kosova.info/


Go to TOP