Bajrami: Me 7 miliardë euro importe, fermerët po detyrohen ta derdhin qumështin në rrugë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar gjendjen ekonomike në vend dhe qasjen e Qeverisë ndaj sektorit të bujqësisë duke thënë se fermerët po përballen me vështirësi të mëdha derisa importet vazhdojnë të rriten.
Ajo ka deklaruar se bujqësia, si një ndër sektorët me potencialin më të madh për zvogëlimin e importit, po lihet pas dore nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
Sipas Bajramit, Kosova ka arritur në rreth 7 miliardë euro importe mallrash brenda vitit, ndërsa fermerët po detyrohen ta derdhin qumështin në rrugë për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale.
“Qeveria i ka buxhet 4 miliardë euro dhe nuk është në gjendje t’u dalë në ndihmë as fermerëve, as përpunuesve të qumështit, sepse buxhetin e ka për zgjedhje”, ka shkruar Bajrami.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë për programe zhvillimore dhe jo, siç është shprehur ajo, për politika bllokuese. /Kosova.info/
