“Nëse je kundër dikujt, i del përballë”, Abdixhiku flet për mungesën e Bajramit dhe Hotit në mbledhje

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar mungesën e Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, duke thënë se të dy vazhdojnë të jenë pjesë e partisë dhe do të jenë edhe në listën zgjedhore.

Pas mbledhjes së KP-së së LDK-së, Abdixhiku deklaroi se të gjithë anëtarët kanë mundësi të marrin pjesë në takime, por dha edhe një mesazh të qartë për ata që kundërshtojnë rikthimin e Vjosa Osmani në listën e LDK-së.

“Nuk mund të jesh edhe pjesë e listës edhe të jesh kundër, s’ka logjikë. Nëse je kundër dikujt i del përballë, pra jemi bashkë. Duhet t’i pyesni pse s’po vijnë në takime, por ata janë pjesë e LDK-së”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se bashkimi brenda partisë është vullnet i anëtarësisë së LDK-së dhe se të gjithë duhet ta respektojnë këtë frymë uniteti.

“Besoj se do ta ndjejnë, se kur je në listë të LDK-së, kur të prin Vjosa dhe kur e ke Vjosën kandidate për presidente dhe e ke kryetarin e partisë tënde për kryeministër, duhet të angazhohemi të gjithë për unitet e bashkim”, deklaroi ai.

Abdixhiku tha se kushdo që është kundër bashkimit të LDK-së, në thelb është kundër vetë partisë.

“Ata që nuk e duan bashkimin e LDK-së, nuk e duan as vetë LDK-në. Të jesh kundër bashkimit je vetvetiu kundër qëllimit të ekzistencës së LDK-së”, u shpreh ai. /Kosova.info/

Go to TOP