Rama prezanton Prishtinën në AI+ Expo në Washington: Qytet i inovacionit dhe vizionit global
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në AI+ Expo në Washington D.C., një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit global.
Rama ka bërë të ditur se në këtë event marrin pjesë kompani të mëdha botërore si Microsoft dhe Google, ekspertë të sigurisë kombëtare, investitorë, akademikë dhe figura kyçe të zhvillimit teknologjik.
Sipas tij, fakti që Prishtina prezantohet në një platformë kaq prestigjioze, krahas qendrave më të zhvilluara të botës, dëshmon potencialin, energjinë dhe talentin që ka kryeqyteti i Kosovës.
“AI+ Expo sot konsiderohet një prej platformave më prestigjioze ku ndërthuren teknologjia, politika, ekonomia dhe vizioni për të ardhmen”, ka shkruar Rama.
Ai po ashtu ka përmendur edhe aktivisten shqiptare në SHBA, Engjella Halili, për të cilën tha se ishte kënaqësi të shihte entuziazmin dhe përfaqësimin e saj në këtë ngjarje.
Rama theksoi se, në një kohë kur rajoni shpesh identifikohet me narrativa krizash politike, Prishtina po dëshmon se mund të prezantohet ndryshe – si qytet i rinisë, teknologjisë, inovacionit dhe vizionit global.
