Qirezi: Rusëve u thamë jo për gazin, amerikanëve s’do duhej t’u thoshim kurrë

Ish-këshilltari i parë i ish-kryeministrit Agim Çeku, Arben Qirezi, ka ndarë një rrëfim lidhur me përpjekjet e Rusisë për të shtrirë ndikimin energjetik në Kosovë gjatë vitit 2007, në kohën e procesit të statusit final të vendit.

Qirezi ka treguar se, me kërkesë të një delegacioni të Gazpromit rus, ishte zhvilluar një takim me qeverinë e atëhershme, ku Rusia kishte ofruar sjelljen e gazit rus në Kosovë.

Sipas tij, megjithëse oferta dukej ekonomikisht e favorshme, ajo ishte refuzuar nga institucionet e Kosovës për shkak të pasojave strategjike dhe gjeopolitike që mund të sillte.

Ai ka bërë të ditur se vetëm një javë pas takimit, në zyrën e tij kishte ardhur një përfaqësues i inteligjencës amerikane (NSA), i cili ishte interesuar për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me energjinë dhe raportet me Rusinë.

Qirezi thotë se e kishte informuar atë për orientimin e Kosovës drejt zhvillimit të kapaciteteve vendore energjetike dhe përkushtimin që SHBA të mbetej partneri kryesor strategjik në sigurinë energjetike.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar politikat energjetike të viteve të fundit duke thënë se Kosova ka humbur drejtimin strategjik në këtë sektor.

Sipas Qirezit, refuzimi i projektit të Contour Global për termocentralin e ri dhe mosrealizimi i projektit për gazin amerikan kanë dëmtuar sigurinë energjetike të vendit.

“Rusëve ua thamë jo, por amerikanëve nuk do të duhej t’u thoshim kurrë jo në çështje strategjike si energjia”, ka shkruar ai duke e cilësuar politikën aktuale energjetike si të dëmshme për Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP