`Evropiani i Vitit` i jepet Shqipe Neziri-Vela në Ditën e Evropës në Kosovë
Në Ditën e Evropës, e cila shënohet çdo 9 maj, në kuadër të aktiviteteve u nda edhe çmimi “Evropiani i Vitit”. Sivjet këtë çmim e fitoi Shqipe Neziri Vela – bashkëthemeluese dhe kryetare e grave të Kosovës në energji dhe miniera, ndërsa u theksua bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian që nga paslufta e deri më sot.
“Është nder të marrësh këtë çmim në Ditën e Evropës këtu në Kosovë, ku Evropa ekziston jo vetëm si një ëndërr e largët politike, por si një akt i përditshëm ndërtimi përmes guximit, vendosmërisë dhe shpresës së palëkundur.Në thelb, Evropa gjithmonë ka mishëruar një të vërtetë të qëndrueshme: përparimi lulëzon kur të gjithë janë të përfshirë. Dhe këtë e shohim qartë në të gjithë Bashkimin Evropian, e edhe më fuqishëm këtu në Kosovë”, deklaroi fituesja e çmimit, Shqipe Neziri-Vela.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi që Kosova ta marrë sa më parë statusin e vendit kandidat.
“Për Kosovën, Bashkimi Evropian nuk është një realitet i largët apo vetëm një grup standardesh që duhen përmbushur. Ai është shtëpia natyrore e shoqërisë sonë, korniza e reformave tona dhe e ardhmja e qytetarëve tanë. Më shumë se 80% e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes kudo në Evropë”, tha ai.
Ndërsa Eva Palatova, ushtruese e Detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë tha se Bashkimi Evropian ka investuar miliarda euro në zhvillimin e vendit që nga viti 1999.
“Që nga viti 1999, Bashkimi Evropian ka qëndruar përkrah Kosovës, duke mbështetur rindërtimin, ndërtimin e institucioneve dhe inkurajimin e reformave. Sot, 27 vjet më vonë, përmes BE-së në Kosovë dhe EULEX, kjo mbështetje vazhdon. Ky partneritet është i prekshëm. BE-ja është partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Që nga viti 1999, më shumë se 3.7 miliardë euro grante kanë mbështetur infrastrukturën, energjinë, arsimin, mediat dhe sundimin e ligjit”, deklaroi Palatova.
