Kurti në Zatriq: Parku i erës 110 milionë euro, 70 MW kapacitet i ri për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi punimet në parkun e erës në Zatriq, i cili pritet të përfundojë në korrik të këtij viti.

Kurti bëri të ditur se ky investim prej 110 milionë eurosh nga Çalik Renewables dhe Eurokos Holding do t’i shtojë Kosovës një kapacitet të ri prej 70 MW për prodhimin e energjisë elektrike nga era.

Sipas tij, parku pritet të prodhojë 185 GWh energji elektrike në vit duke mbuluar konsumin e rreth 45 mijë familjeve kosovare me energji të pastër.

“Ky projekt është dëshmi që Kosova, përmes një kornize ligjore dhe rregullative të përshtatshme dhe përmirësimeve të vazhdueshme në klimën e të bërit biznes, ofron siguri për investime të huaja në energji të ripërtëritshme dhe jo vetëm”, deklaroi Kurti.

Ai përgëzoi kompanitë investitore dhe 175 punëtorët e angazhuar në projekt, prej të cilëve 130 janë nga Kosova duke shprehur shpresën që së shpejti të rikthehen për inaugurimin e fillimit të prodhimit. /Kosova.info/

Go to TOP