Çipa: Helmi ndaj Kadaresë e Qoses, plagë e mendjes shqiptare
Gazetari Aleksandër Çipa ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së urrejtjes dhe kritikave që, sipas tij, një pjesë e shqiptarëve kanë drejtuar ndër vite ndaj figurave të mëdha të kulturës kombëtare si Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja.
Në një reflektim publik, Çipa shprehet se nuk e ka kuptuar asnjëherë “helmin verbal, virtual dhe të shkruar” që është përdorur jo vetëm ndaj këtyre dy figurave, por edhe më herët ndaj personaliteteve si Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Fan Noli dhe Lasgush Poradeci.
Ai thekson se, ndonëse ky fenomen ekziston brenda shoqërisë shqiptare, një “helm” edhe më i madh ka ardhur historikisht nga qarqe të caktuara nacionaliste në vendet fqinje, të cilat – sipas tij – kanë ushqyer narrativa antishqiptare kundër historisë dhe kulturës sonë.
Çipa vlerëson se një nga avantazhet e këtyre qarqeve qëndron tek mbështetja e shteteve të tyre, përballë një shteti shqiptar që ai e cilëson si të paplotësuar dhe të brishtë në konsolidim.
Në këtë kontekst, ai u bën thirrje shqiptarëve që të rikthehen tek leximi i veprave të mëdha duke veçuar esenë “Mosmarrëveshja” të Kadaresë, si dhe të gjithë krijimtarinë e Qoses, si një mënyrë për të forcuar mendimin kritik dhe vetëdijen kombëtare.
Sipas Çipës, një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare mbetet fakti që mendimi racional është shpesh “minoritar” përballë zhurmës, ndikimeve negative dhe degradimit të debatit publik, veçanërisht në hapësirën virtuale.
Në fund, ai shprehet optimist se shqiptarët kanë kapacitetin për të kapërcyer këto “molepsje” dhe për të ruajtur vlerat e tyre duke e cilësuar sfidën kryesore të kombit si një përpjekje për “të mbërritur tek vetvetja e plotë” dhe për t’u bashkuar rreth gjuhës dhe identitetit të përbashkët në rrugën drejt integrimit europian. /Kosova.info/
