Kastrioti mund Rahovecin në një duel dramatik, e pret Besa në finale

Në një atmosferë të zjarrtë sportive në ‘Bill Clinton’, Kastrioti e ka mposhtur Rahovecin, 34-33, pas penalltive pasi që koha e rregullt u mbyll baras 30-30.

Kastrioti dhe Rahoveci u ndeshen në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në hendboll.

Në një sfidë të çmenduar, e në pranin e mbi 3 mijë shikuesve, hendbollistët e të dy skuadrave dhuruan një ndeshje tejet të fortë, ndër më të mirat në vitet e fundit.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e ngushtë të Rahovecit, me rezultat 15-14.

Përballje dramatike është luajtur edhe në pjesëlojën e dytë, ku hendbollistët e të dy skuadrave dhanë gjithçka në parket.

Skuadra nga Ferizaj krijojë epërsinë prej katër golash, megjithatë, Rahoveci nuk u dorëzua dhe ia doli të barazojë shifrat.

Me rezultatin e barabartë 30-30 u mbyll koha e rregullt. Në ekzekutimin e penaltive hendbollistët e Kastriotit ishin më të koncentruar, sidomos portieri i tyre i cili më intervenimet e tij, jo vetëm nga pika e bardhë, por edhe gjatë lojës, është më meritori që Kastrioti kalon në finalen e madhe të Kupës së Kosovës, ku nesër mbrëma do përballet me Besa Famgas.


Go to TOP