Arifi: Politikat e Kurtit po e zhvlerësojnë shtetin, posti i presidentit po përdoret për menaxhim krize

Ish kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kritikuar ashpër qasjen politike të kryeministrit Albin Kurti duke e cilësuar atë si një strategji që po çon drejt zhvlerësimit të shtetit.

Sipas Arifit, situata aktuale politike në vend nuk është rezultat i një procesi të natyrshëm demokratik, por i një “kalkulimi të ftohtë politik”, ku tensionet mbahen qëllimisht të larta për të prodhuar në fund një zgjidhje të kontrolluar.

Ai theksoi se posti i presidentit është shndërruar në instrument për menaxhimin e krizave politike, në vend se të respektohen parimet institucionale. “Një vendim i minutës së fundit do të shërbente për të shmangur përgjegjësinë politike dhe për të ruajtur balancat ekzistuese të pushtetit”, vlerëson Arifi.

Më tej, ai nënvizoi se ekziston një hezitim i dukshëm për t’iu nënshtruar një përballjeje të hapur elektorale, për shkak të rrezikut që kjo mund të rrëzojë narrativën politike të ndërtuar ndër vite.

Në këtë kontekst, Arifi përmendi edhe rritjen e mundshme të ndikimit të figurave të tjera politike, si Vjosa Osmani, që sipas tij mund të fitojnë terren dhe të ekspozojnë dobësitë e kësaj narrative.

Ai përfundoi se zhvillimet aktuale më shumë i ngjajnë një përpjekjeje për kontroll dëmi dhe ruajtje të status quo-së, sesa një procesi të mirëfilltë demokratik në vend. /Kosova.info/


Go to TOP