Kryeziu-Hyseni i përgjigjet Abdixhikut: Refuzimi i ofertës për president tregon se doni zgjedhje, jo zgjidhje
Deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni i është drejtuar publikisht kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke e akuzuar për qëndrime kontradiktore dhe mungesë vullneti për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Në reagimin e saj, ajo rikujtoi se vetë Abdixhiku kishte shpallur të mbyllur periudhën për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje më 20 prill duke deklaruar se nuk do të kishte më takime mes palëve. Megjithatë, sipas saj, zhvillimet e fundit tregojnë një qasje tjetër duke përmendur takimin e tij me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, para fillimit të seancës.
Kryeziu-Hyseni theksoi se LDK, pa i pasur votat e nevojshme, po kërkon njëkohësisht marrëveshje politike dhe një president partiak duke e cilësuar këtë si të paqëndrueshme politikisht.
Ajo rikujtoi ofertën e re të LVV-së për tre kandidatë konsensualë për president, të cilët do të propozonin opozita duke i përshkruar si figura unifikuese me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike. Sipas saj, kjo ishte një mundësi që opozita të marrë rol udhëheqës në proces, ndërsa LVV do të ofronte mbështetjen e saj për zgjedhjen e presidentit.
Në deklaratë, ajo përmendi gjithashtu emrat e përfolur për këtë post duke theksuar se, pas Murat Jashari si zgjidhje ideale, kandidati më i përkrahur mbetet Glauk Konjufca, për të cilin tha se ka marrë mbështetje të gjerë qytetare në zgjedhje.
Në fund, Kryeziu-Hyseni theksoi se oferta e LVV-së synon zgjidhje dhe konsensus, ndërsa çdo refuzim nga opozita, sipas saj, dëshmon se qëllimi i tyre është të shkohet në zgjedhje të reja dhe jo të gjendet një zgjidhje politike. /Kosova.info/
