Çim Peka kritikon Kurtin: Nga faktor ndryshimi në rrezik për stabilitetin

Gazetari dhe analisti Çim Peka ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar për mungesë konsistence dhe serioziteti në proceset politike, veçanërisht lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Peka thekson se Kurti, i cili më herët refuzonte bashkëpunimin me opozitën duke u thirrur në rezultatin zgjedhor prej 51%, tani kërkon nga LDK dhe PDK që të propozojnë emra konsensualë për Presidentin duke e cilësuar këtë si një kthesë të pashpjegueshme.

Ai krahason qasjen aktuale me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova duke vlerësuar se Rugova, pavarësisht sfidave, vendoste mbi gjithçka stabilitetin dhe bashkëpunimin politik.

Sipas Pekës, Kurti ka qenë i nevojshëm për Kosovën dhe ka pasur rol produktiv, por shton se “çdo ditë e më shumë po kthehet në problem”. Ai kritikon gjithashtu qëndrimet e tij në raport me aleatët ndërkombëtarë duke përmendur raportin me SHBA-në dhe figurat si Donald Trump dhe Luiz Inácio Lula da Silva.

Në fund, Peka i bën thirrje Kurtit për debat publik duke përmendur edhe emra si Baton Haxhiu dhe presidenten Vjosa Osmani, si figura me të cilat ai duhet të përballet në diskutim të hapur. /Kosova.info/


Go to TOP